Prodhimi i energjisë nga era dhe dielli – ERE nis procedurat për caktimin e çmimit për prodhuesit me përparësi

Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për përcaktimin e çmimeve të blerjes së energjisë nga impiantet e prodhimit të energjisë nga era, dielli dhe mbetjet për vitin 2021. Ky është çmimi me të cilin shteti shqiptar ble energjinë nga prodhuesit me përparësi të energjisë, që është një prej masave të mbështetjes për stimulimin e investimeve në këtë drejtim.

Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, ERE do t’i drejtohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për informacion, lidhur me subjektet për të cilat ky dikaster ka lëshuar  autorizimin paraprak apo miratimin përfundimtar, për ndërtimin e veprave për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të vogla të rinovueshme nga dielli dhe era; si dhe gjeneratorët e vegjël me burim të rinovueshëm nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale.

Ndërkohë që, ky informacion do të shërbejë për vlerësimin dhe shqyrtimin e të dhënave të nevojshme për llogaritjen e çmimeve për teknologjitë në fjalë. Për vitin 2020, çmimi i blerjes së energjisë nga impiantet eolike me fuqi të instaluar deri në 3 MW është 75.64 euro/mWh, ndërkohë që për prodhimin e energjisë nga dielli dhe mbetjet, ERE nuk ndërmori proces rishikimi të gjatë këtij viti, pasi Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk kishte pajisur asnjë subjekt me miratim përfundimtar. Aktualisht çmimi për impiantet e prodhimit të energjisë nga impiantet fotovoltaike, me fuqi të instaluar deri në 2 MË është 100 euro/mWh, ndërsa sa i takon gjenerimit të energjisë elektrike nga mbetjet, deri më tani ERE nuk ka përcaktuar një çmim.