Ritmet e larta të emigracionit, që vitet e fundit ka përfshirë dhe forcën e kualifikuar, shoqëruar me plakjen graduale të popullsisë, po ushtrojnë gjithnjë e më shumë presion në tregun e brendshëm të punës.
Sot në Shqiperi nuk konkurrohet më vetëm për shitje, apo financim më të lirë, sot konkurrohet për njerëz. Dhe njerëzit nuk bëhen profesionistë vetvetiu. Punë ka dhe do të ketë edhe më shumë, edhe profesionistët bëhen. Ata Gjehen, Zhvillohen dhe Mbahen.
Natyrisht që sa më lart nuk do të ndodhë sa hap e mbyll sytë, sepse zhvendosja e tregut në ekuilibra të rinj është një proces, dhe asnjë proces nuk ndodh sot me nesër, por gradualisht. Oferta dhe kërkesa për punë do të takohen në vitin 2022 në një pikë tjetër, më të lartë se sot.
Profesionet e mesme, specialistë të ndryshëm në shitje, financë, marketing, apo teknikë të mesëm që sot paguhen neto rreth 50,000 – 60,000 Lekë, do të marrin neto 60,000 Lekë – 72,000 Lekë.
Profesionet e larta ose drejtuese do të kenë rritje, por në përqindje në masë pak më të vogël se dy grupimet më lart. Pashaj gjykon që nuk do të ketë drejtues grupi me pagë më të vogël se 80,000 Lekë neto. Ndërsa drejtuesit e niveleve të tjera do të njohin rritje nga 6% në 10%.
Rritje pritet që të kenë edhe të gjitha ato pozicione pune që lidhen me teknologjinë e informacionit, ku flamurin e pagave më të larta dhe rritjeve më të mëdha të pritshme e kanë programuesit. Tashmë rritjet e pagave çdo vit në këtë segment janë një realitet i dukshëm, por që do të vijojë edhe më tej në vitin 2022.
Nëse ju i kujtoni çmimet në Malin e Zi rreth 7-8 vite më parë, atëherë mund t’i krahasoni me çmimet në dy vitet e fundit. Mali i Zi pati një rritje shumë të madhe të çmimeve dhe kjo e nxitur në masën më të madhe nga çmimi i punës. Sot Mali i Zi është një nga tërheqësit e forcës së punës nga Shqipëria për dy sektorë, atë të turizmit dhe ndërtimit. Pagat në Mal të Zi janë ndjeshëm më të larta se në Shqipëri, edhe çmimet e shërbimeve po ashtu.










