Publikohen normat tavan të interesit për kreditë konsumatore, 171.41% për kreditë e vogla me këste

Banka e Shqipërisë ka publikuar për herë të parë normat tavan interesit për kreditë konsumatore.

Norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për shumat deri në 200 mijë lekë do të jetë 171.41% për kreditë me këste, 19.55% për overdraftet dhe 27.28% për kartat e kreditit. Për shumat në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë lekë, NEI maksimal për kreditë për kreditë me këste do të jetë 38.79% dhe për overdraftet 16.75%.

Për produktet dhe shumat ku numri i kredive të disbursuara në 6-mujorin e mëparshëm është më pak se 1 mijë, Banka e Shqipërisë nuk do të aplikojë treguesin e NEI-t maksimal. Për këtë arsye, ky tregues nuk është vendosur për disa nga produktet dhe shumat e parashikuara në rregullore, si për kartat e kreditit deri në vlerën 2 milionë lekë dhe për të gjitha kategoritë e kredisë konsumatore në intervalin mes dy milionë dhe 10 milionë lekë.

Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.

Sipas ndryshime në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare” që hynë në fuqi më 31 dhjetor 2021, NEI maksimal do të llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë 6-mujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj. Nivelet e NEI-t maksimal do të publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në 6-mujorin paraardhës. Sipas rregullores, ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën. NEI mesatar i kredive të dhëna në 6-mujorin II 2021 për kreditë me këste deri në 200 mijë lekë ka rezultuar 128.56%, për overdraftet 14.66 dhe për kartat e kreditit 20.46%. Për kreditë me këste me vlerë deri në 2 milionë lekë norma mesatare efektive e interesit ka rezultuar 29.09%, ndërsa për overdraftet 12.56%.

NEI maksimal është i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri.

Vitin e kaluar, Shqipëria iu bashkua vendeve që aplikojnë një normë maksimale efektive interesi. Arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi. Vendosja e normës tavan të interesit do të ketë një ndikim të konsiderueshëm sidomos në këtë segment të produkteve. Kjo mund të ndikojë në uljen përfitueshmërinë e institucioneve të mikrofinancës, por ndoshta edhe do të sjellë ndryshme në strukturën e produkteve, duke i orientuar drejt rritjes së shumës minimale të huasë dhe zgjatjes së maturitetit, me qëllim zbutjen e normës efektive të interesit.

Rregullorja që ka hyrë në fuqi nga fillimi i këtij viti parashikon gjithashtu vendosjen e një kufiri të penaliteteve dhe kamatëvonesave në masën 30% të detyrimit kontraktor, i kuptuar si vlerë e kësteve të papaguara (principal+interesa). Vendosja e këtij tavani është parë e arsyeshme për shkak të problemeve të krijuara me kreditë e këqija që kalonin nëpër një fazë të stërzgjatur të procesit të rekuperimit. Penalitetet e larta, që i fryjnë detyrimet përtej çdo kufiri të arsyeshëm, janë identifikuar si një element që cënon të drejtat e huamarrësve dhe ushqen praktika jo etike biznesi, sidomos nga mbledhësit e borxheve të këqija.