Rikthehet kriza e punonjësve

Kërkesa pas pandemisë për mallra dhe shërbime po rikthen krizën për punonjës në fabrikat shqiptare dhe në përgjithësi, në të gjithë sektorët e ekonomisë. Industria fason dhe ajo ushqimore po përballen me kërkesë më të lartë për mallra se në vitin 2019, ndërkohë që punonjësit në dispozicion janë në nivel më të ulët se në vitin 2019. Dështon mbulimi i nevojave me punonjës nga Bangladeshi. Kompanitë po i drejtohen inovacionit dhe rritjes profesionale të punonjësve ekzistues. Tendencat e emigracionit pas pandemisë po shtohen si rrjedhojë e kërkesës në rritje nga vendet e zhvilluara sidomos Gjermania. Sinjale negative nga të rinjtë: 83% e tyre e konsiderojnë emigracionin si mundësi për punësim më të mirë.

Tregu i punës u zhbalancua nga pandemia Covid-19, kur në disa sektorë si turizmi dhe tregtia pati rritje të pazakontë të papunësisë, si pasojë edhe e vështirësive që bizneset e këtyre aktiviteteve patën nga pandemia. Sektorë të tjerë si aktivitetet teknologjike patën rritje të fortë të ofertës për punë, si pasojë e të punuarit në distancë.

Pandemia pati ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët sepse si pasojë e infektimeve dhe karantinave të gjata, punonjësit humbën lidhjen me vendet e punës. Por me rikthimin drejt normalitetit, i gjithë globi po përballet për një kërkesë jo të zakontë për mallra, ndërkohë që shumë punonjës kanë refuzuar të kthehen në punë pas pandemisë.

Vështirësitë e furnizimit të vendeve europiane nga Azia po rrisin kërkesën për të prodhuar në Europë e specifikisht në Ballkan dhe në Shqipëri, por vendet nuk po arrijnë të përfitojnë nga kjo mundësi për shkak të normave të larta të emigrimit të fuqisë punëtore.

Mungesa e punonjësve po e pengon Shqipërinë të përfitojë nga ndryshimet post-pandemike të zinxhirëve të furnizimit e për rrjedhojë, të kalojë në një hallkë më të lartë të vlerës së shtuar.

Këto zhvillime po shfaqin dy anë pozitive. Bizneset po nxiten të investojnë në teknologji dhe po detyrohen të rrisin pagat për punonjësit pas gati një dekadë vendnumëro dhe po i kushtojnë më shumë vëmendje kapitalit human.