Rritet ‘internet banking’, këtë vit po kryhen mesatarisht 400 mijë veprime çdo muaj

Përdorimi i pagesave bankare nëpërmjet internetit po shfaq tendenca të rritjes së shpejtë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të vitit 2021, mesatarja mujore e transaksioneve bankave në distancë rezulton rreth 96.1 miliardë lekë, nga 87.1 miliardë lekë që ishte mesatarja mujore e vlerës së transaksioneve për vitin 2020. Rritja është e prekshme edhe e matur si numër transaksionesh, me një mesatare mujore prej rreth 400 mijë veprimesh, nga 343 mijë që kishte qenë mesatarja e vitit të kaluar.

Përdorimi i internet banking është në rritje për të trembëdhjetin vit radhazi, edhe falë shtysës së mëtejshme që pandemia i dha përdorimit të kanaleve të bankingut në distancë vitin e kaluar. Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri. Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po vendosin më shumë fokus në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal alternativ për marrëdhëniet me klientët.

Në fund të vitit 2020, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33%. Si raport i thjeshtë i numrit të llogarive me numrin e përgjithshëm të popullsisë, vlerësohet se në Shqipëri numri i llogarive të lidhura me internetin është sa rreth 21% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 15.5% të vitit 2019. Përdorimi i pagesave nga kanalet alternative po nxitet edhe nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet ndryshimeve rregullatore. Që nga qershori i vitit të kaluar, komisionet për transfertat ndërbankare në lekë nëpërmjet internetit duhet të jenë të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen në sportelet e bankave. Transfertat e vogla deri në shumën e 20 mijë lekëve do të kryhen pa asnjë komision.

Gjithashtu, ligji i ri “Për shërbimet e pagesave” që ka hyrë në fuqi këtë vit pritet të krijojë hapësira për rritjen e mëtejshme të pagesave dixhitale. Në mbështetje të këtij ligji, Banka e Shqipërisë ka përgatitur edhe rregulloret e para, atë për licencimin e institucioneve të pagesave, institucioneve të parasë elektronike, si dhe për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave, si edhe projekt-rregulloren “Mbi transparencën për tarifat e lidhura me llogarinë e pagesës dhe mbi shërbimin e transferimit të llogarive të pagesës”. Këto rregullore pritet të mundësojnë një konkurrencë të shtuar në shërbimet e pagesave në vend, në veçanti duke krijuar më shumë hapësira për institucionet financiare të profilit fintech, të lidhura kryesisht me shërbimet e pagesave elektronike. Banka e Shqipërisë do të hartojë dhe do të publikojë një listë me të paktën 10 shërbimet më përfaqësuese të lidhura me një llogari pagese, dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave do të raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë raporte tremujore mbi tarifat e aplikuara për shërbimet e përfshira në listë.

Tarifat e këtyre shërbimeve do të publikohen rregullisht nga Banka e Shqipërisë, për të lehtësuar krahasimin e tyre nga konsumatorët dhe palët e tjera të interesuara. Ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet të mundësojnë edhe shërbimin e transferimit midis llogarive të pagesave të mbajtura në të njëjtën monedhë, për të gjithë konsumatorët që hapin ose mbajnë një llogari pagese. Mundësia për transferimin e një llogarie nga një institucion financiar tek një tjetër është një element që mund të nxisë konkurrencën mes operatorëve të tregut dhe të shërbejë si një shtysë sidomos për të ulur kostot dhe për të rritur përdorimin e shërbimeve të pagesave.