Rritet mbështetja për fermerët – Bujqësia/ Bien fondet për peshkimin, infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit

Sektori i bujqësisë do të marrë 12.7 miliardë lekë buxhet për vitin e ardhshëm,  me një rënie prej 300 milionë lekësh krahasuar me buxhetin e këtij viti.  Nga totali, 5.9 miliardë lekë do të shkojnë për investime. Sipas të dhënave të detajuara nga draftbuxheti 2022, prioritet më së shumti i është dhënë zhvillimit rural, në mbështetje të prodhimeve bujqësore, blegtorale, agroindustriale, me një fond total prej 7 miliardë lekësh, e ndjekur nga siguria ushqimore, me një fond prej rreth 2.3 miliardë lekësh, dhe për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes do të shkojnë rreth 1.7 miliardë lekë.

Megjithatë,  ajo që vihet re në krahasim me buxhetin e këtij viti, është rritja e mbështetjes për fermerët me 2 miliardë lekë dhe ulja e fondeve për investimet në kullim e ujitje si dhe për peshkimin.  Për sektorin e peshkimit janë parashikuar në total 702 milonë lekë.

Ministria e Bujqësisë ka vënë si objektiv për vitin 2022, zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe atij rural në Shqipëri, duke rritur numrin e të punësuarëve në bujqësi dhe agropërpunim në afro 533 mijë të punësuar; Sipërfaqet e mbjella me fruta dhe perime. ; Aktivitetet promovuese të produkteve shqiptare në bujqësi, blegtori dhe agropërpunim; Volumin e eksportit të produkteve bujqësore dhe të agropërpunimit në 44.3 miliardë lekë në vitin 2022.

Gjatë vitit të ardhshëm, parashikohet që nga skemat kombëtare në bujqësi të përfitojnë 4800 fermerë dhe nga skemat e përfitimit të naftës 17.500 fermerë.