Rritja e taksës së pasurisë po bën që gjithnjë e më shumë miliarderë norvegjezë të largohen nga vendi. Kjo situatë po i kushton qeverisë dhjetëra miliona të ardhura të humbura nga taksat. Pjesa më e madhe e të pasurve janë vendosur në Zvicër.
Numri rekord i miliarderëve norvegjezë që po largohen nga vendi i tyre pasi qeveria ka rritur taksën e pasurisë në 1.1%, vijon të ndryshojë. Më shumë se 30 njerëz të elitës financiare të Norvegjisë janë larguar nga vendi në vitin 2022, sipas një sondazhi të fundit. Në fakt, ky numër është shumë më i lartë se numri total i të pasurve që janë larguar nga vendi në 13 vitet e mëparshme.
Edhe më shumë miliarderë norvegjezë pritet të largohen nga vendi këtë vit për shkak të një rritjeje të taksës së pasurisë në nëntor, duke i kushtuar qeverisë dhjetëra milionë të ardhura të humbura nga taksat.
Sipas Guardian, shumë prej tyre janë shpërngulur në Zvicër, ku taksat janë shumë më të ulëta. Vendi më i preferuar mbetet Lugano që sipas tyre nuk është as qyteti më i lirë dhe as me taksat më të ulëta, por në këmbim, është një vend i mrekullueshëm me një vendndodhje qendrore në Europë.
Sipas analistëve në vend, ata që janë larguar nga Norvegjia vlerësohet të kenë një pasuri totale prej të paktën 52.3 miliardë euro. Ekspertët shtojnë se fenomeni është i ngjashëm me atë të Brexit, pasi Norvegjia nuk ka një traditë të “vetëdëmtimit” dhe numri i sipërmarrësve që lëvizin jashtë vendit përjetohet si një tronditje.
Aktualisht shumë prej politikanëve të vendit fajësojnë të pasurit për largimin nga vendi, por opinionit publik nuk i pëlqen ideja që investitorët më të mirë të vendit po largohen.
Erlend Grimstad, zëvendësministër i financave, tha për Guardian se shpresonte që norvegjezët e pasur do të ktheheshin sërish në vendin e tyre. Zëvendësministri deklaroi se modeli norvegjez karakterizohet nga kontributi i secilit sipas aftësive të secilit, ndaj ata që kanë aftësi më të mëdha duhet të paguajnë pak më shumë.