Sa biznese janë përfshirë në procesin e fiskalizimit? Tatimet publikojnë shifrat

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon se nga 1 janari deri më tani bizneset e përfshira në procesin e Fiskalizimit janë 36 mijë e 847.

Në 1 Janar 2021 nisi faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsiston në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe Enteve Publike (B2G), në 1 Korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B), ndërsa më 1 Shtator nisi faza e fundit për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C).

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rikujton se vijon zbatimin edhe plani i masave për Fiskalizimin, për informimin dhe ofrimin e asistencës në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesve. Ky plan masash, i cili ka filluar që në datën 1 Shtator konsiston në ofrimin e ndihmës të punonjësve të trajnuar të Administratës Tatimore ndaj subjekteve për të plotësuar disa hapa të nevojshëm dhe të domosdoshëm për procesin e Fiskalizimit.