Shishtavec – Udhëtim në çdo stinë

Mbi 1400 metra mbi nivelin e detit natyra është treguar bujare dhe e dashur duke i falur zonës së vogël të Shishtavecit gjithçka duhet: tokën e pasur me bimësi e faunë, ujëra lumenjsh e liqenesh të vegjël, reliev gati për aventurën e sporteve dimërore dhe njerëz mikpritës.

Shishtaveci, rreth 30 km larg qytetit verior të Kukësit, njihet si një nga destinacionet ideale për ata që duan natyrën dhe aktivitetet e sportet që mund të zhvillohen në të. Ky destinacion është përfshirë në disa nga guidat turistike të kompanive shqiptare dhe këshillohet për të gjitha grupmoshat. Hiking, hipizmi apo skitë janë disa nga sportet që bashkojnë me banorët turistët e apasionuar të këtyre gjinive sportive.

Udhëtimi rreth Shishtavecit ka çfarë të ofrojë duke filluar nga burimet natyrore dhe kuzhinën e pasur lokale, shërbyer me shumë mikpritje nga vendasit. Kanione të thella, pyje të renditura në listën e monumenteve të natyrës, lumenj të krijuar nga lëvizjet tektonike në shekuj janë ndalesat e guidave që udhëheqin të apasionuarit pas ecjes në natyrë.

Ecje në natyrë

Nisuni nga Tirana në mënyrë të organizaur më familjen apo miqtë tuaj. Guidat ju udhëheqin drejt një rrugë që është përmirësuar gjatë viteve të fundit, duke lehtësuar mbërritjen në destinacion. Me çmime mesatare në paketat turistike mbulohet transporti gjatë gjithe turit, disa vakte të ushqimit ditor, guidat në natyrë dhe akomodimi në hotel gjatë fundjavës apo ditëve që do i kushtoni kësaj zone veriore të vendit.

Ski

Shishtaveci është një nga fshatrat më të njohur për praktikimin e skive në Shqipëri. Pyjet halore janë karakteristike për këtë zonë malore e cila së fundmi është pasuruar edhe me grupet profesioniste të guidave alpine. Novosejë është një nga ndalesat më interesante të zonës, aty ku zakonisht akomodohen edhe grupet e turistëve vendas apo të huaj.

Klima dhe prodhimet

Shishtaveci është i rrethuar nga malësi dhe lëndinat malore ku lulëzojnë gjatë pranverës shumëllojshmëri lulesh e bimësh. Zona është e njohur për prodhimin e patates dhe thekrës, por nuk mungojnë frutat që rriten në këtë lartësi me temperatura të vështira gjatë dimrit. Banorët e zonës njihen si konservues të mirë të produkteve të bulmetit edhe për faktin se në muajt e dimrit mund të izolohen nga reshjet e borës. Në stinët më të buta të vitit, natyra dhe bukuritë e saj ju mirëpresin në Shishtavec.