Shiu “përmirëson” energjinë – Pas thatësirës, KESH: Rriten prurjet në Kaskadën e Drinit

Përveç problemeve të shkaktuara me përmbytjet në disa zona, por edhe me rrjetin elektrik, rreshjet e ditëve të fundit kanë sjellë efekte pozitive për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, duke përmirësuar situatën hidrike në Kaskadën e lumit Drin, ndërkohë që prej disa ditësh edhe hidroecentrali i Fierzës ka hyrë në prodhim.  Sipas KESH, prurjet në Fierzë në datën 12 dhjetor u regjistruan në 400 m3/s, në Koman 210 m3/s dhe në HEC Vau i Dejës, 25 m3/s. Në të tre  HEC-et prodhimi për këtë datë  arriti në 14 400 Mwh apo rreth 50% më tepër nga javët e fundit të nëntorit, që gjithsesi shënonin një përmirësim të situatës në raport me shtatorin apo tetorin. Mungesa e rreshjeve të shiut nuk ka favorizuar prodhimin e energjisë në muajt e fundit, ndryshe nga 6-mujori i parë i vitit që rezultoi një vit i mirë hidrik. Kjo ka sjellë shpenzimin e miliona eurove për importin e energjisë nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore. Në fakt, viti 2021 konsiderohet i mirë në drejtim të prodhimit të energjisë elektrike, por ndonëse sasia që blihet nga imporit është më e vogël se viti I kaluar, shpenzimet mbeten të larta për shkak të çmimeve të shumëfishuara në tregjet ndërkombëtare.  Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë gjatë 9-mujorit të këtij viti u prodhuan 7.37 mln mwh energji nga të gjithë burimet gjeneruese në vend, gati 2-fish më shumë në raport me një vit më parë, ku për të njëjtën periudhë u gjenerua rreth 4 mln mwh energji.