Shkëlqimi turistik i Sarandës pas pandemisë

Saranda, një nga destinacionet e dashura turistike të shqiptarëve, ndër vite, humbi shkëlqimin për shkak të trafikut të jashtëzakonshëm që krijohej në qytet në kohën e pikut të sezonit veror, kantiereve të pafundme të ndërtimit, apo çmimeve që nisën të rriten dhe cilësisë së shërbimit. Braktisja graduale e vendasve dhe më pas, edhe e turistëve të Kosovës, nuk arriti të zëvendësohej plotësisht me turizëm të organizuar, ku hyrja e nordikëve, polakëve dhe çekëve po kthehej në traditë nga agjensitë.

Sezoni veror 2020 rezultoi i vështirë, mbi të gjitha për shkak të situatës së pandemisë. Për këtë arsye, operatorët rishikuan çmimet, ndërkohë që agjencitë e huaja kishin imponuar më herët përmirësimin e cilësisë së shërbimit. Të gjitha këto, të bashkuara me disa investime domethënëse në qytet, si pjesë e projekteve të financuara nga institucione ndërkombëtare financiare (Banka Botërore, projekti për turizmin) në sezonin veror 2021 arritën t’i rikthenin shkëlqimin qytetit të “40 Shenjtorëve”.

Operatorët turistikë raportuan për rritje domethënëse të frekuentimit, që arriti pikun nga 15 korriku deri në fund të gushtit, me një okupancë (rezervim) 100 për qind të strukturave në vijën e parë dhe të dytë të detit, ndërkohë që fluksi ishte në të njëjtat nivele edhe në vijën e tretë, edhe në atë të katërt me luhatje të lehta.

Por cilat janë arsyet që Saranda u rikthye në vëmendjen e turistëve. Tur-operatorët përmendin katër nga këto arsye.

-Së pari, sipas tyre, ka një numër të konsiderueshëm strukturash akomoduese që janë maturuar edhe në eksperiencë, duke rritur cilësinë e shërbimit.

-Së dyti, në qytet janë bërë investime të rëndësishme si shkallaret, bulevardi, ndriçimi, sinjalistika, që i kanë dhënë tjetër pamje.

-Së treti, oferta turistike e Sarandës është zgjeruar, duke ofruar mundësi për të gjithë buxhetet nga pushimet “me kosto të ulët” tek përvojat “më luksoze dhe private”.

-Së katërti, oferta është zgjeruar edhe sa i takon asaj çfarë mund të bësh në Sarandë gjatë pushimeve, duke gërshetuar, ndër të tjera, industrinë detare me ture të plazheve, ku aksesi mund të bëhet vetëm nga deti.

Trafiku vazhdon të mbetet problem në kohën e pikut, por këtë verë rezultoi më i menaxhueshëm sesa vite më parë, kur duheshin orë të tëra për të shkuar nga Ksamili në Sarandë, apo anasjelltas.