Shpallet fituesi për koncesionin e Triportit – Fiton konsorciumi i 5 kompanive. Oferta për kontratën 10-vjeçare është 40 mln euro

Me një ofertë prej 40 milionë euro, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur kompaninë fituese për koncesionin e portit të integruar të Triportit në Vlorë. Fitues është shpallur një bashkim prej 5 operatorësh, ndërkohë që në garë kanë marrë pjesë edhe 2 kompani të tjera që janë skualifikuar. Një prej tyre ka paraqitur ofertë më të ulët se kompania fituese, por sipas njoftimit ajo është skualifikuar pasi nuk plotësonte kriterte e vendosur,  ndërsa kompania tjetër nuk ka paraqitur fare ofertë.

Gara e partneritetit publik privat për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e portit të integruar të Triportit në Vlorë u hap në fillim të muajit gusht të këtij viti, teksa ministria parashikonte një vlerë prjoketi prej 44.9 mln Euro. Në dokumentet e tenderit specifikohej se pagesat e disponueshmërisë do të fillojnë të paguhen pas ndërtimit të plotë dhe dorëzimit përfundimtar të objektit dhe jo më parë se viti 2025, teksa kontrata e PPP-së do të ketë një kohëzgjatje prej 10 vitesh. Porti i Integruar ne Triport, Vlorë parashikohet të ndërtohet aty ku aktualisht është porti i peshkimit të këtij qyteti që quhet “Triport”.

Ai ndodhet rreth 3 km në veri të Portit të Vlorës, midis terminalit privat të përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj “Petrolifera Italo-Albanese”, TEC Vlorë dhe Parkut Industrial Vlorë. Porti aktual është i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e brendshme ofron kapacitete për shërbimin e anijeve të peshkimit. Sipas dokumenteve të tenderit, në këtë pjesë porti është i mbrojtur nga të gjitha anët me dallgëthyese dhe infrastruktura është e amortizuar, duke kërkuar masa emergjente për përmirësime.

Ndërkohë që, pjesa e jashtme e portit të peshkimit, është hapësirë e fituar pas ndërtimit të dallgëthyesit. Në zbatim të Vendimit të Këshilli Kombëtar i Territorit në këtë port do të transferohen nga Porti i Vlorës edhe dy shërbime të tjera të cilat janë: Transporti ndërkombëtar i pasagjerëve dhe automjeteve dhe transporti kombëtar e ndërkombëtar i mallrave.