Shpenzimet e familjeve u rritën/Mbi 60% e shpenzimeve shkojnë për ushqime, qera dhe karburante

Rreth 60% të parave të një familje shqiptare ikin për ushqime, qira dhe naftë theksojnë statistikat ndërsa për arsimin, kulturën dhe argëtimin qytetarët kanë shpenzimet më të pakta.

Kjo strukturë shpenzimesh pritet të përkeqësohet gjatë 2022-it, sepse çmimet e naftës dhe ushqimeve janë rritur nga 15 deri në 30% brenda vitit.

Në këto kushte familjet përveç arsimit dhe kulturës do detyrohen të heqin dorë edhe nga gjëra të tjera. Eksperti i ekonomisë Fatos Çocoli shprehet se në këto kushte shumica e familjeve shqiptare do të luftojnë për mbijetesën:

“Gjsyma e shpenzimeve të familjeve shqiptare shkojnë për bukë, pra për mbijetesë dhe me këtë rritje të fundit të çmimeve jetesa po bëhet e papërballueshme. Ka shumë abuzime në treg dhe shteti duhet të bëjë më shumë inspektime. Një rast abuziv që unë shoh është gramatura e bukës. Ne po e paguajmë bukën më shtrenjtë, por po marrim më pak në peshë..”

Qeveria vendosi të ndryshojë taksat vitin e kaluar, gjë e cila duket se ka dhënë një efekt negativ në ekonomi, sepse rritja e akzicës për naftën është reflektuar në çmimin final. Rënia e fuqisë blerëse mund të shkurtojë arkëtimet e buxhetit për vitin që vjen, me qeverinë e cila synon të mbledhë dhe të ndalë investimet e planifikuara të ekonomisë.