Shqipëria rrit për të katërtën herë normat e interesit!

Për të katërtën herë brenda vitit, Këshilli MBikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit duke e çuar në 2.25 %. Në këtë mënyrë, norma bazë është rritur me 0.5 %. Po ashtu, Këshilli miratoi vendimin që të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar në nivelin 1.25% si dhe të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore,  duke e çuar në nivelin 3.25 %.

Ndërsa njoftoi vendimet, Guvernatori Gent Sejko konfirmpi se  përditësimi i parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndonëse ritmi i rritjes do të jetë disi më i ulët.

“Përkeqësimi i perspektivës ekonomike në Evropë, ndikimi negativ që çmimet e larta kanë në fuqinë blerëse të familjeve, si dhe reduktimi i stimulit fiskal, pritet të ngadalësojnë konsumin familjar dhe investimet e bizneseve në vijim. Nga ana tjetër, niveli i lartë i depozitave, rritja e punësimit dhe e pagave, rritja e kredisë bankare dhe paketat e rezistencës sociale pritet të sigurojnë mbështetje për bilancet e sektorit privat” tha Sejko.

Guvernatori vlerësoi ecurinë e sistemit bankar në vend ndërsa e cilësoi si surprizues efektin pozitiv që ka pasur përfshirja e aktorëve vendas në sistemin bankar shqiptar pas tërheqjes së disa bankave të huaja.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

të rrisë normën bazë të interesit në nivelin 2.25% nga 1.75%

të rrisë normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 1.25% nga 0.75%

të rrisë normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 3.25% nga 2.75%.