Si po ndryshon marrëdhënia e shqiptarëve me kartat bankare: Shtohet debiti, pakësohet krediti

Në Shqipëri, këtë vit ka në përdorim më shumë se 1 milionë e 332 mijë karta bankare. Në krahasim me vitin e kaluar, deri më tani, numri i kartave është rritur me më shumë se 12 mijë të tilla.

Po për çfarë përdoren më së shumti këto karta bankare?

Të gjitha kartat në qarkullim janë karta me funksion cash-i. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 1 milionë e 149 mijë janë karta debiti dhe rreth 110 mijë janë karta krediti.

Nëse krahasojmë shifrat me vitin e kaluar, ndryshe nga kartat e debitit që janë shtuar, kartat e krediti këtë vit janë pakësuar me 1 mijë e 306 të tilla.

Sa i përket llojit të kartave, rezulton se këtë vit në Shqipëri janë 7 mijë e 701 karta VISA më shumë sesa vitin e kaluar.

Kartat e llojit Mastercard kanë njohur rritjen më të madhe, me 13 mijë e 901 më shumë se vitin e kaluar. Rënie të madhe këtë vit kanë pasur kartat American Express, ku numërohen rreth 9 mijë karta më pak se vitin e kaluar.

Referuar të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në raportin vjetor të vitit 2021 rezulton se rreth 69% e popullsisë në moshë madhore zotëron një llogari pagese.