Situata energjetike në vend – Importohet më pak energji, por shpenzohet më shumë, ja skenarët e mundshëm për furnizimin

Në një deklaratë të jashtëzakonshme për media kryeministri Edi Rama paralajmëroi një krizë energjetike, duke fajësuar situatën në tregjet ndërkombëtare për shkak të mosfurnizimit me gaz dhe mos prodhimit të energjisë nga era, për shkak të kushteve atmosferike. Për Shqipërinë treguesit për vitin 2021 flasin për një situatë më të favorshme në drejtim të prodhimit të energjisë në vend, çka normalisht sjell ulje të sasisë së importeve. Sipas të dhënave zyrtare, për periudhën janar-gusht u prodhuan rreth 7 mln mwh energji nga të gjithë burimet gjeneruese në vend, duke shënuar një rritje me 47% në raport me një vit më parë, ku për të njëjtën periudhë u gjenerua 3.7 mln mëh energji.

Por, ndoënse rritja e prodhimit reflektoi ulje të importit të energjisë, çmimet e larta me të cilët po blihet energjia në tregjet ndërkombëtare nga Furnizuesi i Tregut të Lirë kanë bërë që shpenzimet të jenë më të larta, në krahasim me vitin e kaluar. Rritja e çmimeve u reflektua që në muajin korrik të këtij viti, ku për disa procedura blerjesh u pagua  134.91 euro/ Mwh apo 129.95 euro/Mwh, nga 40.85 euro/mwh  që kjo energji kushtoi në të njëtën periudhë të 2020-ës. Rritja e çmimit vijoi edhe gjatë gushtit e shtatorit, duke kulmuar në blerjen e fundit, ku për 1 Mwh u shpenzua mesatarisht 233 euro/Mwh. Ndërkaq, përpos problemeve në tregjet ndërkombëtare, prej vitesh shpenzimet e larta për blerje energjie në vendin tonë, nxjerrin në pah nevojën që ka vendi ynë për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.

Kjo pasi aktualisht vendi ynë është i varuar nga burimet hidrike, ndërkohë që energjia e prodhuar nga impiantet fotovoltaike përbën vetëm  0.43% të energjisë totale të prodhuar. Aktualisht, kapaciteti total i impanteve diellore të instaluar arrin në 23 MW, ndërkohë që ajo që pritet të sjellë një impakt të madh në këtë drejtim është pikërisht ndërtimi i parkut fotovoltaik të Karavastasë, me një fuqi të instaluar prej 140 MW. Por, ndonëse autoritetet kanë deklaruar disa herë se nisja e punimeve për këtë park është gati, në terren ende nuk ka ndonjë zhvillim konkret. Paralelisht, është finalizuar edhe ankandi për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Spitallë, që do të ketë një fuqi të instaluar prej 100 MW.

Gjithashtu, edhe era, si burim për prodhimin e energjisë nuk është e shfrytëzuar në vendin tonë, ndërkohë që pak muaj më parë Enti Rregullator i Energjisë rishikoi licencat e dhëna para një dekade, duke vendosur revokimin e 3 prej tyre dhe rinovimin për 3 licenca të tjera. Përballë kësaj situate qeveria nuk ka bërë ende publike hapat që parashikon të ndërmarrë për të përballuar shpenzimet në rritje për të garantuar furnizimin me energji për konsumatorët familjarë dhe bizneseve. Një prej skenarëve do të ishte rritja e mbështetjes buxhetore për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për të përballuar shpenzimet për blerje energjie. Ndërkohë që një skenar tjetër do të jetë rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët, ndërkohë që përballë një pamundësie të lartë për të përballuar shpenzimet nuk përjashtohen ndërprerjet e energjisë.