Skadon afati i fiskalizimit – Vetëm gjysma e bizneseve, pjesë e sistemit të faturimit elektronik

Nga data 1 Janar do të duhej që të gjitha bizneset të lëshonin fatura elektronike, si pjesë e projektit të fiskalizimit, duke shmangur kështu çdo faturë fizike. Por ndërsa 31 Dhjetori ishte afati i fundit për subjektet tatimore, sipas të dhënave të tatimeve vetëm gjysma e bizneseve janë fiskalizuar.

Kështu, afro 60 mijë biznese janë në sistem nga rreth 120 subjekte që e kanë detyrim ligjor. Sipas legjislacionit në fuqi, për subjektet tatimore që nuk janë fiskalizuar deri në 31 Dhjetor, do të aplikohen masa administrative, ose në rastin më të mirë qeveria do të vendosë një shtyrje të mëtjeshme të këtij procesi për të mos i vënë subjektet përpara një persioni të tillë.

Ndërkohë vetëm pak ditë më parë, qeveria shtyu aplikimin e gjobave deri pas datës 30 Qershor 2022 vetëm për 3 kategori; për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe që nuk janë të regjistruar për TVSH-në, të cilët kryejnë vetëm shitje me para në dorë kundrejt konsumatorëve finalë, persona të patatueshëm; për tatimpaguesit që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; si dhe për bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpagues.