Subvencionimi i naftës në bujqësi – Shtyhet me 20 ditë afati i përfitimit për fermerët

Qeveria ka vendosur të shtyjë me 20 ditë afatin për rimbursimin e naftës për fermerët përfitues. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, i cili ka hyrë në fuqi, sasia e naftës së përfituar nga subjektet përkatëse ndahet në dy periudha brenda vitit dhe tërheqja e sasisë respektive bëhet vetëm brenda periudhës së përcaktuar, por jo më vonë se data 20 Dhjetor 2021.

Deri më tani afati ishte data 30 Nëntor 2021, që mesa duket fermerët nuk kanë mundur të bëjnë tërheqjen dhe qeveria u ka vendosur më shumë kohë në dispozicion.  Lista me subjektet përfituese, sasitë respektive të naftës për secilin prej tyre dhe ndarjen e sasive të lejueshme për t’u tërhequr për çdo sezon, i dërgohen operatorit furnizues të naftës të kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë.