Supertender për aksin Korçë-Ersekë – ARRSH hap procedurën, 17.55 milion euro

2.16 miliard lekë apo 17.56 milion euro parashikohet të kushtojë pjesa e dytë e lotit 2 të rrugës Korçë-Ersekë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën e prokurimit publik, mbi kufirin e lartë monetar,  duke vënë në dispozicion fondin e  mësipërm limit, pa TVSH ndërkohë që gara do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 prill.

Kjo shumë është vetëm gjysma e kostos për këtë lot të rrugës, pasi më herët thuajse e njëjta vlerë u tenderua për pjesën e parë të këtij loti, që parashikonte kryerjen e punimeve për 4.15 km rrugë, duke e çuar koston e ndërtimit për 1 km në 4.7 milion euro. Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, aktualisht aksi rrugor Korçë-Ersekë ka një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra.

Punimet në këtë aks janë zvarritur prej vitesh, duke qenë se zbatimi i projektit nisi qysh në vitin 2013, ndërkohë që në shtator të vitit 2018 përfunduan punimet në një gjatësi prej 17.6 km që përfshinin vetëm lotin e parë. Ndërkohë që, rreth 4 vite më pas, punimet kanë avancuar vetëm në gjysëm e lotit 2, ndërsa për lotin 3 nuk kanë nisur ende as procedurat tenderuese. Rruga Korçë-Ersekë është një aks kyç në rajonin jug-lindor, ndërsa projekti parashikon ndryshime të rrugës aktuale, duke shmangur disa prej segmenteve, të cilët në dimër paraqesin problematikë nga ngricat dhe bora.