Taksat për ndërtimet “furnizuan” bashkitë – Qytetarët dhe bizneset paguan 12.1 miliardë lekë, rriten të ardhurat edhe nga tarifat

Bashkitë kanë pasur perfomancë pozitive në mbledhjen e taksave dhe tarifave vendore gjatë 9 mujorit të parë të 2021, duke bërë që të ardhurat nga burimet e veta vendore të rriten me 26.5 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Referuar raportit të publikuar së fundmi nga COPlan,  bashkitë mblodhën 23.1 miliardë lekë nga burimet e veta përgjatë periudhës Janar-Shtator, nga të cilat të ardhurat nga taksat vendore shënuan një nivel prej rreth 14.3 miliardë lekë, me një rritje prej 22.4 për qind në terma vjetorë.  Performanca pozitive në taksat vendore udhëhiqet nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja ndjekur nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Së bashku, këto dy taksa përfaqësojnë rreth 85% të të ardhurave totale nga taksat vendore.

Specifikisht, vetëm nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (TNI) u mblodhën reth 7.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 19.3% në terma vjetorë. Nga kjo shifër bashkia Tiranë zë rreth 81% e totalit, ndërsa  60 bashkitë e tjera në mblodhën rreth 1.4 miliardë lekë.  Po ashtu, të ardhurat nga taksat mbi pasuritë e paluajtshme regjistruan një vlerë prej rreth 4.9 miliardë lekë, në rritje me rreth 26% në terma vjetorë. Peshën dhe kontributin kryesor në këtë zë e japin të ardhurat nga taksa mbi ndërtesën (77%) .

Ndërsa,  të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël rezultojnë të jenë tkurrur për shkak të heqjes së kësaj takse deri në vitin 2029, politikë fiskale e ndikuar nga pandemia COVID 19. Në kahun tjetër,  të ardhurat nga tarifat vendore shënuan një nivel prej rreth 8.4 miliardë lekë, në rritje vjetore me rreth 32.4%.