Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar dokumentin, që i hap rrugë rritjes së kapacitetit të gazsjellësit Trans Adriatik. Ai është miratuar nga edhe nga enti rregullator i Italisë, ndërsa është në proces edhe nga Greqia, ku kalon tubacioni i TAP.
Procesi i rritjes së kapacitetit të TAP synon shpërndarjen e kapaciteteve rritëse afatgjata në pikat ekzistuese ose të reja të ndërlidhjes përgjatë gjurmës së TAP dhe do të rrisë vëllimet e gazit të importuar në Europë. Pikat e Interkonjeksionit në fjalë janë: Kipoi, Komotini dhe Nea Mesimvria, në Greqi, Kuçovë, Relievi Roskovec dhe Fier në Shqipëri dhe Melendugno në Itali.
Paralelisht me vendimin e ERE-s, edhe qeveria ka miratuar disa ndryshime në Masterpalnin e Gazit, që është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të gazit natyror në vendin tonë. Vendimi i qeverisë ripërcakton detyrimin e TAP për të ndërtuar të paktën një pikë daljeje me dy drejtime në Fier, teksa një pikë e dytë daljeje është në diskutim në zonën e Kuçovës”.
Po ashtu, është rritur niveli I presionit të lejuar në sistemin e transmetimit nga 50 bar, në 100 bar, në kushtet kur gazsjellësit Adriatiko –Jonian (IAP) nuk është ndërtuar ende. Paralelisht, vendimi i qeverisë ka përfshirë në listën e prioriteteve në terma afatshkurtër, zhvillimin e pikës së daljes dhe rrjetit të shpërndarjes Bashkia Korçë, si dhe zhvillimin i rrjetit të shpërndarjes së gazit të lëngshëm natyror.
Prioritet në terma afatshkurtër mbeten edhe zhvillimi i gazsjellësit TAP – TEC-i i Vlorës, dhe nëse është e mundur, zhvillimi i sistemit të shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës, si dhe zhvillimi i sistemit të transmetimit për të furnizuar konsumatorët spirancë në Fier dhe Ballsh.