Tatimet: Kusht plotësimi i deklaratës së të ardhurave brenda 30 qershorit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se do të falen sanksionet administrative për mosplotësimin në kohë të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2020, me kushtin që dorëzimi i deklaratës si dhe pagesa e detyrimit të bëhet deri më 30 qershor.

“Këta individë duhet të paguajnë vetëm detyrimin që mund të kenë pas plotësimit të DIVA-s, dhe nuk duhet të paguajnë gjobat apo kamatëvonesat e gjeneruara nga sistemi për vonesë në deklarim apo pagesë, pavarësisht se mund të jenë të përfshira në urdhër pagesë”, bën të ditur DPT.

Administrata Tatimore informoi se po punon për përmirësimin e sistemit lidhur me këto sanksione administrative të cilat gjenerohen automatikisht.

Deklarimi i të ardhurave, përveçse është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë.

Duhet të plotësojnë DIVA 2020, individët rezidentë dhe jo rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit 2020 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në shumën dy milionë lekë e më tepër. Detyrimin për dorëzimin e DIVA e kanë gjithashtu edhe individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën dy milionë lekë e më tepër.

Gjithashtu, duhet të deklarojnë DIVA 2020, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre gjatë këtij viti kalendarik është nën dy milionë lekë, edhe individët rezidentë apo jo rezidentë, të cilët kanë qenë të punësuar në më shumë se një punëdhënës.

Theksojmë se, nuk janë deklarues të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) kategoria “I vetëpunësuar” (me të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarit) dhe i punësuar në një subjekt (person fizik apo juridik) në të cilin përfiton të ardhura nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës, pasi kategoria “I vetëpunësuar” ka detyrim vetëm për pagimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ka të përcaktuar në listëpagesë vlerën zero në rubrikën “Paga bruto”.