Tender për rezervat ushqimore të shtetit – Fondi limit 33.3 milionë lekë, kompanitë kanë afat deri në 1 prill për të dorëzuar ofertat

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka hapur tenderin për blerjen e artikujve ushqimorë për Rezervat Materiale të Shtetit. Fondi limit i vënë në dispozicion është 33.3 mln lekë, pa TVSH ndërkohë që referuar dokumenteve të tenderit synohet blerja e disa artikujve, sikurse janë makaronat, mielli i grurit, vaji i lule diellit, fasulet, orizi, sheqeri apo kripa. Hapja e kësaj procedure vjen pas një presioni të shtuar, jo vetëm nag qytetarët, por edhe nga deputetët, të cilët kanë kërkuar informacion mbi gjendjen e Rezervave Materiale të Shtetit, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Në datën 15 Mars, deputetët e opozitës kërkuan interpelancë me kryeministrin, Edi Rama, ku një prej çështjeve ishte pikërisht edhe kjo, por kërkesa nuk u përfshi në rendin ditës të seancës së të enjtes. Paralelisht, zyrtarët e qeverisë kanë deklaruar publikisht se nuk do të bëjnë publike gjendjen e Rezervave Materiale të Shtetit, duke e konsideruar këtë informacion si sekret shtetëror ndonëse kanë pranuar se shteti disponon rezerva të mjaftueshme.

Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake ( në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin.

Kompanitë që do të marrin pjesë në tenderin e hapur nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kanë afat deri në datën 1 prill për të dorëzuar ofertat e tyre, ndërkohë që procedura është e  hapur, ndryshe nga praktika e ndjekur gjatë pandemisë, ku tenderi i ushqimeve u dha “në tavolinë”.