Kosovë/Zeka: Propozimi i qeverisë për pagë minimale i drejtë, 100 milionëshi mund të investohej në forma të tjera

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka deklaruar se propozimi që paga minimale të rritet në 250 euro neto është vendim i drejtë i qeverisë dhe më i arsyeshëm përtej propozimeve tjera që kanë qenë nga 400 deri në 500 euro.

Mirëpo, sa i përket masave të reja për mbështetjen e 800 mijë qytetarëve me nga 100 euro, Zeka vlerëson se do të ishte më mirë që këto mjete të investoheshin në forma të tjera e që do të kishin efekte multiplikative në ekonominë e vendit.

Zeka në një intervistë për Kp ka thënë se nuk mund të mohohet fakti që do të kenë ndikim në ekonomi këto mjete shtesë, derisa deklaron se duhet të pasur parasysh edhe problemet që dalin nga këto mjete prej 100 milionë eurosh, me rritjen e mëtejme të konsumit, rritjen e inflacionit dhe thellimin e deficitit tregtar.

Zeka po ashtu ka thënë se invazioni rus në Ukrainë ka prekur edhe ekonominë e Kosovës, me rritjen e çmimeve, por ai i ka propozuar qeverisë të aplikojë përgjysmimin e TVSh-së për artikujt esencialë dhe të ulë akcizën për produkte të tjera.

Këtë javë, qeveria mori vendim për dyfishim të asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtorët e sektorit publik dhe 100 euro për 80 mijë studentët.