Renditja e rajonit, Shqipëria konkurron me ndërtimin dhe kompani faturuese, Serbia e Maqedonia e Veriut me industri

Kriza e pandemisë shkaktoi një efekt zinxhir në të gjithë Ballkanin Perëndimor, me disa shtete që rezistuan më mirë dhe të tjera që u goditën më rëndë.

Sipas Komisionit Europian, ekonomia e Ballkanit Perëndimor u tkurr me 3.3% në vitin 2020, pas një rritjeje mesatare prej 3.6% në 2019-n. Pavarësisht rimëkëmbjes në 6-mujorin e dytë, rajoni u ndikua ndjeshëm nga përçarja e krijuar në pjesën e parë të vitit, pas vendosjes së kufizimeve në mbarë Europën.

Shumica e ekonomive vuajtën nga tkurrja e konsumit dhe investimeve, si dhe rënia e eksporteve. Rënia e importeve dhe konsumi më i lartë publik ishin faktorët kryesorë lehtësues, por nuk arritën të kompensojnë dinamikën negative të komponentëve të tjerë të shpenzimeve.

Në linjë me rënien e aktivitetit ekonomik, ecuria e punësimit ishte negative. Deficiti i llogarisë korente i rajonit qëndroi në 6% të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB) në vitin 2020, përgjithësisht i pandryshuar nga një vit më parë, pasi humbjet e forta në eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi, dhe përgjithësisht rënia e prurjeve të remitancave u kompensuan nga importet më të ulëta.

Mbështetja fiskale në shkallë të gjerë për familjet dhe kompanitë për të zbutur ndikimin e krizës, e kombinuar me një rënie të konsiderueshme të të ardhurave, rezultoi në një rritje të mprehtë të deficiteve buxhetore në të gjithë rajonin. Së bashku me një rënie të PBB-së nominale (përveç Serbisë), kjo çoi në rritje të konsiderueshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së në krahasim me fundin e vitit 2019, vlerëson Komisioni Europian.

Serbia është vendi që e përballoi më mirë pandeminë, me një tkurrje prej vetëm 1%. Shqipëria, që vinte pas rritjes më të ulët në rajon në 2019-n, me vetëm 2.2%, arriti të kishte një ecuri më të mirë sesa pritej në -3.3%, (sipas Komisionit Europian, ndërsa INSTAT e ka rishikuar këtë shifër në gati 4%), e ndihmuar nga hapja e turizmit në muajt e verës dhe ecuria pozitive e sektorëve të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.

Mali i Zi kishte rënien më të thellë, në -15.2% për shkak të ndikimit negativ që dha pandemia në turizëm. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina rezultuan me tkurrje midis 4-4.5%.