Tremujori i tretë “ringjall” investimet e huaja/ IHD prekin rekord që nga T4 2019, falë pasurive të paluajtshme

Investimet e huaja direkte në vendin tonë gjatë tremujorit të tretë të këtij viti rezultojnë me vlerën më të lartë që prej tremujorit të katërt të vitit 2019. Kështu, në periudhën korrik-shtator të këtij viti, fluksi total i investimeve të huaja direkte ne vendin tonë ka qenë 250.86 milionë euro. Në tremujorin paraardhës, kjo shifër fiksohej pranë 233.86 milionë euro. Në tremujorin e katërt të vitit 2019 ndërkohë, shifra fiksohej në 272.04 milionë euro. Me ardhjen e pandemisë, nivelet e investimeve të huaja në vendin tonë i`u larguan ndjeshëm shifrave të viteve paraardhëse, por mesa duket tremujori i tretë i këtij viti ka shënuar një pikë kthese në këtë drejtim.

Sa i përket flukseve të investimeve të huaja direkte në vendin tonë gjatë periudhës në fjalë, sipas shteteve, në vend të parë gjejmë Italinë, me 41.9 milionë euro, duke regjistruar vlerën më të lartë që prej tremujorit të tretë të vitit 2019. Në vend të dytë ndërkohë, ndjek Holanda, me 35.3 milionë euro.