Mali i Tomorit mbetet një nga destinacionet më të preferuara të turistëve, me shtigje malore, pamje të rralla, befasi që të ngjallin kureshtje dhe të bëjnë të bëhesh pjesë e këtij habitati të egër e tejet të bukur për t’u vizituar.
Parku Kombëtar Mali i Tomorit është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve vendas dhe të huaj në të gjitha stinët, por në stinën e dimrit mali ofron pamje mahnitëse, duke dhuruar aventurë për turistët edhe në ditët më të acarta të tij.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura publikoi foto të grumbulluara në një vit eksplorimi të natyrës së Tomorit.
“Aventurat e vitit 2021 në pyjet e malit të Tomorit. Jemi munduar të filmojmë kafshët e egra, turistë nga Shqipëria edhe të huaj, kemi luajtur në mal, kemi ngritur shumë e shumë kampingje, kemi eksploruar shpella dhe shtigje të panjohura, do vazhdojmë t’iu tregojmë për bukuritë e shumta të malit Tomor”, thuhet në njoftim.
Parku Kombëtar Mali i Tomorit ka një sipërfaqe 24 723 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Ky park shtrihet në 2 qarqe të mëdha si ai i Beratit dhe ai i Elbasanit.
Parku Kombëtar i Tomorit përbëhet nga 12 monumente natyrore, 2 biomonumente, 10 gjeomonumente si dhe 125 burime natyrore të cilët befasojnë turistët.
Parku ka kryesisht pyje ahu, pisha si dhe ka kullota alpine, që ndodhen në lartësinë 1000 deri 2000 metra mbi nivelin e detit. Si rrjedhojë ai formon pyje rreth fshatrave Dardhë, Lybeshë dhe Kapinovë.










