Tregu informal “zhvlerëson” vajin e ullirit – Raporti/ Femerët u detyruan të shisnin nën kosto

Aksesi në treg për vajin e ullirit është një shqetësim kryesor gjatë periudhës së mbiprodhimit. Në disa pjesë të Shqipërisë, mbiprodhimi bëri që fermerët të shesin këtë produkt me 350-400 lekë/litër gjatë sezonit të fundit të prodhimit (2020-21), gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën. Sipas një studimi të bërë për këtë sektor nga Ministria e Bujqësisë dhe GIZ, del në pah se përpunuesit e vajit të ullirit duhet të përballen nga njëra anë me  konkurrencën e vajit të ullirit të shitur “joformalisht” nga fermerët dhe nga ana tjetër, importin me çmim shumë të lirë.

Përveç faktit që çmimet e vajit të ullirit kanë rënë edhe për vajin ekstra të virgjër, ekziston shqetësimi se një pjesë e këtij produkti që vjen në Shqipëri është i lirë, jo ekstra i virgjër, por ende i ambalazhuar dhe shitet si vaj ulliri vendas. Raporti evidenton se përpunuesit shqiptarë me cilësi të lartë mbështeten kryesisht në shitjet direkte të familjeve, duke pasur zakonisht klientë “besnikë”.

Ky boshllëk mund të tregojë se sasia e vajit të ullirit të prodhuar mund të jetë 20%  më e ulët ose sasia reale e prodhimit të ullirit mund të jetë më e lartë, që nënkupton nevojën për të rishikuar statistikat. Sipas statistikave zyrtare, numri i përpunuesve që prodhojnë vaj vegjetal (kryesisht ulliri) është 193. Por numri është shumë më i madh, duke pasur parasysh se ka shumë operatorë informalë. Vlerësimet për numrin e përpunuesve të vajit të ullirit që janë në funksion variojnë nga 300 deri në 450.