Liqeni i Shkodrës gjatë këtij viti ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj. I konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, ky liqen dallon për ajrin e pastër dhe bukuritë natyrore.
Disa nga pikat turistike më të vizituara në liqen janë “Syri i Sheganit”, Shiroka, Zogaj. Ndërkohë që numri i vizitorëve është rritur edhe falë sporteve ujore si kanoet,varkat dhe gondolat veneciane që janë zhvilluar gjatë këtij sezoni turistik. Një tjetër atraksion që ka tërhequr më shumë vizitorë është edhe vrojtimi i shpendëve,
Liqeni i Shkodrës ka një sipërfaqe prej 368 km², nga të cilat 149 km² i përkasin Republikës së Shqipërisë; ndërsa 2/3 Malit të Zi. Liqeni ka një breg shumë të larmishëm. Në bregun jugor shquhen plazhet në rrugën nga Shkodra për në Shirokë e Zogaj, ku më i madhi është Zalli i Bardhë.
Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.
Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin.










