Investimet në agroturizëm mbështeten me grante dhe paketë të veçantë fiskale

Sipas ekspertëve të GELDTrade, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxit investimet në agroturizëm përmes mbështetjes me grante dhe një pakete të veçantë fiskale.Përmes programit IPARD II dhe Skemës Kombëtare qeveria ka adresur financime të ndryshme për sipërmarrësit në agroturizëm duke e parë këtë si një instrument që zhvillon  ekonominë rurale me imapkt në rritjen e ekonomisë tonë.Aktualisht 34 aplikime janë regjistruar për të përfituar nga Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi 2020, në masën 7: Investo në agroturizëm dhe përfito 50% financim.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, “masa 7 adreson mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5.000.000 lekë për subjekt”.

Ndërkohë përfituesit e mundshëm janë subjekte ose Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor të regjistruar në Qëndrën Kombëtare të Biznesit për aktivitetin që aplikojnë.

Sipas AZHBR-së, investimet e pranueshme janë në zonat rurale. Subjektet kanë aplikuar  me plan biznesi 5-vjeçar dhe sipas modelit zyrtar të parashtruar nga AZHBR.

Një nga kriteret kryesore është se aplikantë duhet të kenë kryer investimet para lidhjes së kontratës dhe duhet që leja e ndërtimit /rikonstruksionit të sigurohet para lidhjes së kontratës, por jo më vonë se 60 ditë pune nga data e përfundimit të aplikimeve.

Gjithashtu përfitues të kësaj mase janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

Agroturizmi dhe turizmi rural janë veprimtari të cilat kanë një potencial të lartë zhvillimi për zonat rurale në Shqipëri dhe tashmë në shumë fshatra të Shqipërisë kanë filluar të funksionojnë ferma që ofrojnë shërbime në agroturizëm dhe kanë arritur në një kohë të shkurtër rezultate shumë të mira ekonomike dhe sociale (Thethi, Voskopoja, Dardha etj.).

Qeveria në kuadër të programit të 100 fshatrave po mbështetet me instrumente financiare dhe fiskale krijimi i një rrjeti fermash agroturistike, që plotësojnë kriteret dhe standardet e përcaktuara, të cilat do të jenë baza e rrjetit shqiptar të agroturizmit.

Mbështetja për të krijuar një masë kritike të numrit të sipërmarrjeve të agroturimzit në Shqipëri do të shërbejë për rritjen e punësimit në zonat rurale, krijimin e një destinacioni dhe “marke” të veçantë të agroturizmit në Shqipëri, krahas ofertave të tjera turistike, si dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe vlerave tradicionale të fshatit shqiptar.

Ndërkohë që një paketë e plotë fiskale lehtësuese i vjen në ndihmë këtij sektori, falë politikave të qeverisë për mbështetjen e agroturizmit që kosistojnë në uljen e TVSH-së nga 20% në 5%, uljen e tatim fitimit nga 15 në 6%, përjashtimin nga taksa e infrastrukturës dhe adresimin e grante për sipërmarrjet agroturistike.

Në këtë sektor operojnë aktualisht 18 ferma agroturistike ku janë të punësur 1500 vetë dhe numri i vizitorëve arrin në 600 persona në javë.

Pa harruar këtu investimet strategjike në zhvillimin e infrastrukturës rrugore e aeroportuale që janë një vlerë e shtuar në zhvillimin në tërësi të ekonomisë së vendit dhe turizmit e agroturizmit specikfikisht në vendin tonë.

GELDTrade.al