Thomas Strakosha: Rrënjët e mia janë në Shqipëri, është turp nëse nuk kualifikohemi në Euro 2024

Portieri Thomas Strakosha ka dhënë një intervistë për “sport24.gr”, teksa foli për aventurën e tij me Lacion, Brentfordin deri tek kombëtarja kuqezi. Ai foli edhe për trajnerin Silvinjo teksa beson që Shqipëria mund të përsërisë atë që bëri në 2016.

“Mendoj se në vitin 2024 mund ta bëjmë sërish, sepse brezi i ri që del ka shumë talent, lojtarë shumë të mirë dhe një mentalitet më të mirë. Ka shumë futbollistë që luajnë jashtë vendit. Pra, nëse shkojmë në rrugën e duhur, të gjithë së bashku mund ta bëjmë përsëri. Polonia konsiderohet si favoritja e grupit, por ne duhet të jemi patjetër skuadra e dytë që do të kalojmë. Do të jetë turp të mos futemi, ne kemi talent”, deklaroi ai.

Ndër të tjera gardiani u shpreh se ai ka zgjedhur të luajë për kombëtaren shqiptare pasi është atdheu i tij dhe këtu ka rrënjët.

Kur isha i ri, në K17 kur kishte mundësi të zgjidhja nëse do të isha me kombëtaren shqiptare apo me kombëtaren greke. E dua, e vlerësoj dhe e respektoj Greqinë çdo ditë të jetës sime. Thjesht unë dhe prindërit e mi jemi nga Shqipëria dhe mendoj se është më e përshtatshme të luaj për kombëtaren shqiptare, sepse është atdheu ku i kam rrënjët. Dhe është mirë që në kombëtare të mblidhen lojtarët më cilësorë që janë shqiptarë për të ndihmuar dhe që skuadra të fillojë të ndërtojë emrin e saj”, u shpreh Strakosha.