Ligji fiskalizimit/ Për fermerët dhe prodhuesit e tjerë bujqësorë

Ligji “Për fiskalizimin” parashikon se prodhuesit bujqësorë, që janë ose jo subjekte të skemës së kompensimit, në përputhje me legjislacionin për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë nuk mbartin detyrimin të lëshojnë faturë për furnizimin e mallrave apo shërbimeve.

Edhe pas fillimit të efekteve të plota të dispozitave të fiskalizimit, në rastin e grumbullimit dhe blerjes së produkteve bujqësore të tregtuara nga fermerët, fatura do të hartohet dhe fiskalizohet nga grumbulluesi blerës i produkteve bujqësore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi fermerët dhe prodhuesit e tjerë bujqësorë lidhur me procedurat standarde të faturimit në kuadër të procesit të fiskalizimit.

Tatimet informuan se zbatimi i ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” nuk ka ndryshuar detyrimin ligjor për të lëshuar faurën që legjitimon një furnizim malli apo shërbimi por vetëm modalitetet e lëshimit të faturës.

“Ligji parashikon se, nuk mbartin detyrimin të lëshojnë faturë për furnizimin e mallrave apo shërbimeve, prodhuesit bujqësorë, që janë ose jo subjekte të skemës së kompensimit, në përputhje me legjislacionin për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë. Lidhur me këto lloj furnizimesh, ligji parashikon se, tatimpaguesit, subjekte të TVSH-së ose të tatimit mbi fitimin, apo të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për biznesin e vogël, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi, detyrohen të lëshojnë faturë si pranues të mallrave apo shërbimeve të furnizuara kur blejnë mallra nga prodhuesit bujqësorë, që janë subjekte të skemës së kompensimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar. Edhe pas fillimit të efekteve të plota të dispozitave të fiskalizimit, në rastin e grumbullimit dhe blerjes së produkteve bujqësore të tregtuara nga fermerët, fatura do të hartohet dhe fiskalizohet nga grumbulluesi blerës i produkteve bujqësore në harmoni edhe me kuadrin rregullues të fushës dhe sqarueset që DPT ka nxjerrë për këtë qëllim”, informoi DPT.

GELDTrade.al