Kaos total me biletat e Kombëtares kundër Çekisë

Kaos total me biletat për ndeshjen e Shqipërisë me Çekinë, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024 më 12 tetor. Një pjesë e madhe e tyre kanë përfunduar në treg të zi dhe ka me mijëra ankesa nga tifozët që jo vetëm nuk kanë mundur të sigurojnë një biletë, por ankohen për sistemin online që pothuajse nuk funksionoi fare.

FSHF nga ana tjetër i ka lënë gjërat të mjegullta, duke mos publikuar as çmimet. Për saktësim, në krahasim me ndeshjen me Poloninë çmimet janë rritur sepse një biletë pas portave shkoi nga 2 mijë në tre mijë lekë të rinj.

Në tribunën përballë, një pjesë e biletave shkuan nga 6 mijë lekë në 8 mijë lekë. Ndërsa në tribunën qendrore një biletë kushton 25 mijë lekë. Asnjë reagim edhe nga institucionet shtetërore.

Një çmenduri e vërtetë, që nuk ka të bëjë vetëm me çmimet e kripura, por edhe me mënyrën se si u administrua, duke ngjallur pakënaqësi të mëdha në opinionin shqiptar. Ndërkohë FSHF ka reaguar duke thënë se sistemi ra për shkak se kishte mbi 300 mijë kërkesa.