Partia Socialiste tërhoqi ligjin për amnistinë penale nga seanca e sotme , pasi nuk siguron dot 84 votat që duhen për ta miratuar.
Ky vendim i Partisë Socialiste vjen për shkak se kreu i PD-së Lulzim Basha njoftoi dje se deputetët e tij nuk do të paraqiten fare në seancën e votimit të Amnistisë, për të evituar çdo mundësi për rrjedhje votash, në kushtet kur mazhoranca e vetme nuk e plotëson dot shumicën e cilësuar prej 84 votash, që nevojitet për miratimin e draftit. Në argumentin e tij kundër amnistisë penale, Basha akuzoi mazhorancën se kjo e fundit po tenton të shpëtojë zyrtarë të korruptuar.
Kreu i PD iu referua një amendamenti të votuar të martën në Komisionin e Ligjeve që bënte përfitues të uljes së dënimit edhe për të burgosurit që janë dënuar për vepra të lehta penale me vendim të formës së prerë nga GJKKO.
Për votën pro amnistisë, Basha kërkoi heqjen nga përfituesit të të dënuarve nga Gjykata e Posaçme dhe pranimin e propozimeve të PD, për falje të plotë të protestuesve të dhunshëm të viteve 2018-2020.
Edhe Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat pohoi se nuk do votojnë amnistinë penale. Pavarësisht dakordësisë në parim, e quajti procesin jo transparent, me qëllim shpëtimin nga dënimi të zyrtarëve të korruptuar.
