Pandemia ul derdhjet e tatimit mbi të ardhurat personale

Të ardhurat e mbledhura në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) gjatë vitit 2020 llogariten në vlerën 37 miliardë lekë, 9.1 miliardë lekë ose 19.7% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019.

Të ardhurat e mbledhura në buxhet nga ky zë rezultuan 4 miliardë ose 9.9% më pak edhe se plani fillestar për vitin 2020.

Faktori kryesor në mosrealizimin e tatimit mbi të ardhurat personale është reduktimi i numrit të të punësuarve dhe reduktimi i kohëzgjatjes së punës, nga ana e tatimpaguesve si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në tremujorin e tretë dukshëm ka një rikuperim të vendeve të punës, ndërsa në fund të dhjetorit numri i të punësuarve ishte më i lartë se sa ai që ishte në muajin shkurt kur edhe nisi goditja nga pandemia.

“Në momentin që u mbyllëm regjistrojmë 39 mijë persona më pak në tregun e punës. Por në tremujorin e tretë shikojmë një trend kthimi. Neto, në tetor, nëntor dhe dhjetor kemi kaluar edhe numrin e të punësuarve që kanë qenë të punësuar në muajin shkurt. Kemi në fund të vitit mbi 689 mijë të punësuar”, bën të ditur MFE.

Rimëkëmbja e ekonomisë erdhi edhe nga paketat mbështetëse që ndërmori qeveria që lidhen me pagesën e drejtpërdrejtë për të prekurit në punë, dy garancitë financiare për biznesin, dyfishim i ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë, skemat e nxitjes së punësimit dhe disa lehtësi fiskale që kishin të bënin me shtyrjen e pagesës së disa taksave, apo qirave e kësteve të kredive.

“Deri tani kemi arritur gati në 50 % të disbursimeve të garancive sovrane të cilat dhanë një ndikim të madh për të mos shkuar në nivele më të ulëta si të papunësisë dhe varfërisë“, u shpreh MFE.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, niveli i papunësisë arriti në 11.6%, nga 11.9% që ishte në fund të qershorit.

Industria dhe shërbimet kanë qenë motori i rritjes së vendeve të punës në këtë periudhë që përkon edhe me sezonin turistik.

GELDTrade.al