Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj deklaroi se procesi i fiskalizimit do të ulë evazionin fiskal.
“Nëse më parë ose deri sot, neve kemi pasur fatura me dorë, fatura TVSH-je, blloqe tatimore, fatura të cilat plotësoheshin dhe firmoseshin nga të dyja palët si nga shitësi dhe nga blerësi, tashmë në bazë të ligjit për monitorimin e faturave ne do të kemi vetëm lëshim të faturave elektronike, të cilat nuk do të kenë ndryshim mes shitjes me para në dorë apo shitjes pa para në dorë”, tha Ibrahimaj gjatë një interviste televizive.
Ibrahimaj u shpreh se, “ne kemi filluar implementimin e kësaj reforme. Pra në datën 1 janar të vitit 2021 ne kemi filluar implementimin e reformës për të gjitha faturat që lëshohen nga tatimpaguesit drejt enteve publike”.
Ndërkohë, shtoi Brahimaj, “faza e dytë e implementimit është faza e “business to business” ose lëshimit të faturës elektronike për të gjitha transaksionet pa para në dorë, e cila fillon në datën 1 korrik të këtij viti”.
Ibrahimaj u shpreh se, “e gjithë reforma konkludohet në datën 1 shtator, datë në të cilën hyjnë në fiskalizim të gjitha transaksionet me para në dorë, ose siç e quajmë “busines to customer”.
Ajo nënvizoi se, “gjatë këtij viti ne synojmë që të përmbyllim procesin e faturimit elektronik dhe nga 1 shtatori e tutje të gjitha faturat që do të lëshohen, do të lëshohen vetëm në formatin elektronik. Ku shitësi do të lëshojë faturën. Fatura do të marrë një numër unik identifikimi nga administrata tatimore dhe një kod, i cili është i skanueshëm. Dhe në rastin e transaksioneve pa para në dorë fatura do të pranohet nga blerësi dhe automatikisht do të ngarkohet në librat e blerjes dhe të shitjes”.
“Ndërsa në rastin e konsumatorit, konsumatori do të marrë faturën në dorë dhe mund të kontrollojë nëpërmjet këtij kodi, apo skanimit të këtij kodi nëse fatura është e fiskalizuar apo jo”, tha Ibrahimaj.
E pyetur se cili është qëllimi i procesit të fiskalizimit, Ibrahimaj tha se, “kjo është një direktivë e BE dhe është një proces që po ndodh ose ka ndodhur në të gjitha vendet e komunitetit europian”.
“Nëpërmjet fiskalizimit administrata tatimore do të marrë informacion në kohë reale për të gjitha transaksionet e kryera dhe jo vetëm për vlerën e transaksioneve, por edhe për të gjithë elementët e faturës. Kjo sigurisht do të ndihmojë administratën në uljen e evazionit, në kontrollin më të mirë të transaksioneve si me pará në dorë, ashtu edhe pa pará në dorë”, tha Ibrahimaj.
“Librat do të parambushen automatikisht. Tatimpaguesit nuk do të duhet të bëjnë fatura me dorë dhe të lëshojnë kupon tatimor, por do të lëshojnë vetëm një lloj fature, faturën elektronike. Kjo do të lehtësojë, si kostot e biznesit për përmbushjen tatimore, pra do të ulë kohën dhe orët e shpenzuar për të plotësuar ato detyrime që kanë ndaj administratës tatimore. Ashtu siç edhe do të lehtësojë administratën në kontrollet e kryera”.









