Spanja është gjysmëfinalistja e parë e Euro 2024, teksa ka mundur pas kohëve shtesë Gjermaninë organizatore pas një dueli spektakolar dhe dramatik.
Sfida ishte e hapur me ekipet që kërkuan golin dhe rastet që nuk munguan në të dy portat. Spanjollët gjetën avantazhin në fillimin e pjesës së dytë me Dani Olmo, teksa më pas ishte Gjermania e cila kërkoi me ngulm golin për të barazuar duelin. Ai erdhi në limitet e sfidës, falë Virtz në minutën e 89-të, duke sjellë shtesat në këtë takim.
Të dy palët vazhduan duelin e hapur teksa krijuan raste të shumta si nga një anë, në tjetrën. Por kur dukej se ndeshja po shkonte drejt penalltive pasi palët po shpërdoronin raste, Merino gjeti devijimin e duhur me kokë në zonë në minutën e 119, duke i dhënë fitoren 2-1 Spanjës, që shkon kështu në gjysmëfinalet e turneut.
