Guvernatori prezanton monedhën për 100 vjetorin e BSH/ Sejko: Po përballemi me tre sfida kryesore


TIRANË– Guvernatori Gent Sejko ka folur për sfidat që po përballet ekonomia shqiptare dhe sistemi financiar, duke i ndarë ato në tre drejtime kryesore. Në konferencën shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, Sejko ka prezantuar dhe një monedhë të re me rastin e këtij viti jubilar për këtë institucion. Bëhet fjalë për një monedhë me vlerë 100 lekë, e cila sipas guvernatorit Sejko, nuk do të hidhet në treg por është përgatitur vetëm për këtë event.

“Është monedhë numizmatike pa kurs ligjor. Ku ka një djalë fshatar dhe Asdrenin. Në krahun tjetër është shenja e 100 vjetorit.”– tha Sejko.

Ndërsa për sfidat që përballet, Sejko u shpreh se e para është rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj.

“Sfida e parë është rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj. Rritja e barrierave tregtare dhe kufizimet në lëvizjen e kapitalit përbëjnë një realitet të ri ekonomik, i cili ndikon drejtpërdrejt në ekonomitë e vogla si e jona”, tha Sejko.

Sipas tij, ndikimi i këtyre zhvillimeve mund të zbutet falë proceseve integruese me Bashkimin Europian. Guvernatori ndaloi edhe tek sfida e dytë, që lidhet me inovacionin e shpejtë financiar.

“Rreziqet që vijnë nga këto sfida tejkalohen si në cilësi, ashtu edhe në sasi, nga oportunitetet që ofron procesi i anëtarësimit në BE. Gjatë dekadës së fundit, jemi bërë dëshmitarë të një revolucioni të shpejtë financiar, i cili ka potencialin të transformojë këtë industri. Dixhitalizimi i sistemit të pagesave dhe përdorimi i teknologjisë sjellin përfitime të mëdha, por njëkohësisht edhe rreziqe që duhet të adresohen me kujdes.”– tha Sejko.

Sa i përket sfidës së tretë, Sejko theksoi se ajo lidhet me stadin e zhvillimit të Shqipërisë si një vend me të ardhura të mesme.

“Shqipëria është e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë për kapital dhe fuqi punëtore në tregun evropian. Për të përballuar këtë, vendit i duhet të mbështesë modelin e zhvillimit tek rritja e produktivitetit dhe avantazhet e tij krahasuese.”- tha Sejko./Radar.al 



Burimi Monitor.al