Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njofton se, bazuar në parashikimet e fundit hidrometeorologjike, në basenin e lumit Drin priten reshje me intensitet të lartë gjatë datave 17–23 nëntor, me kulme më 18–19 dhe 22 nëntor. Zona më të ekspozuara ndaj reshjeve janë Theth–Valbonë dhe Shkodër–Pukë.
Sipas projeksioneve, pritet që në Fierzë sasia e reshjeve të arrijë në 150–200 mm, ndërsa në Koman–Vau i Dejës mund të shkojë deri në 300 mm.
KESH bën të ditur se situata po monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe se operimi në kaskadën e Drinit po zhvillohet në përputhje me të gjitha kërkesat teknike dhe kuotat e përcaktuara nga rregulloret.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave përreth të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe reshjesh intensive, për shkak të rrezikut të lartë nga prurjet e mëdha dhe problematikat e mundshme në terren.
