Pagat, pensionet dhe bizneset, “trinomia” e buxhetit të ri, çfarë ndryshon nga 1 janari


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi me banorë të njësive 8 dhe 9 në Tiranë, prezantoi linjat kryesore të projektbuxhetit 2026, i cili parashikon rritje të ndjeshme të pensioneve, të ardhurave nga puna dhe mbështetje të zgjeruar për bizneset.

Ibrahimaj bëri të ditur se pensionet urbane do të rriten nga 27 mijë në 40 mijë lekë, ndërsa pensionet e pjesshme do të arrijnë mesatarisht 22 mijë lekë. Edhe pensionistët e zonave rurale do të përfitojnë rritje të konsiderueshme, me nivelin mesatar prej 18 mijë lekësh. Këto rritje do të vijojnë në mënyrë progresive deri në vitin 2030.

Pagë minimale: 500 euro në janar, 700 euro brenda mandatit
Një tjetër element kyç i buxhetit është rritja e pagës minimale. Duke nisur nga 1 janari 2026, paga minimale do të jetë 500 euro dhe do të shkojë në 700 euro deri në fund të mandatit aktual. Kjo rritje pritet të ndikojë drejtpërdrejt te rreth 300 mijë punonjës.

Për të lehtësuar bizneset nga barra e kostove të pagave, qeveria do të subvencionojë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për pagën minimale.

Lehtësime të reja për bizneset
Ministrja theksoi se mbështetja për sipërmarrjen do të jetë një tjetër shtyllë e buxhetit 2026. Sipas saj, 90% e bizneseve të vogla në vend nuk paguajnë tatimfitim, duke përfituar çdo vit 1.7 miliardë lekë që mbeten në familjet e tyre dhe ndihmojnë zhvillimin ekonomik.

Ajo njoftoi se nga 1 janari nis “një kapitull i ri” në marrëdhënien mes shtetit dhe biznesit: tatimet do të ofrojnë pagesën e një tatimi të bazuar te të ardhurat e viteve të shkuara, ndërsa çdo të ardhur shtesë do t’i nënshtrohet një norme vetëm 5%, nga 15% që është aktualisht.

Rregullim i pasqyrave financiare dhe paketë fiskale e re
Ibrahimaj shtoi se paketat e reja fiskale do t’u mundësojnë bizneseve të rishikojnë pasqyrat financiare të viteve të mëparshme, duke rritur normën e rishikimit nga 1% në 5%.

Mbështetje për punësimin dhe aftësitë profesionale

Në buxhetin e vitit 2026 janë parashikuar 12 milionë euro për programe trajnimi, zhvillimi aftësish dhe nxitje të vetëpunësimit, në funksion të kërkesave aktuale të tregut të punës.

Nga 1 janari do të aplikohet edhe indeksimi i pagave për punonjësit e administratës, si në nivel qendror ashtu edhe vendor. Ministrja theksoi se paga mesatare në sektorin publik tashmë ka arritur 1000 euro, një nivel më i lartë se ai i sektorit privat.



Burimi Monitor.al