Shqipëria nën ujë/ Qeveria rrit në 1 miliard lekë fondet për përmbytjet në buxhetin 2026


Shqipëria po përballet me reshje intensive dhe mot ekstrem ditët e fundit, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore, dëme të konsiderueshme ekonomike dhe, tragjikisht, humbje jete.

Edhe pse qeveria gjatë vitit 2025 ka vënë në dispozicion mbi gjysmë miliard lekë për emergjencat civile, si për ndërhyrje në hidrovore ashtu edhe në zonat problematike, përmbytjet kanë prekur sërish disa qarqe të vendit.

Për të paraprirë situata të ngjashme dhe për të adresuar dëmet e evidentuara në lumenj, digat dhe hidrovorë, qeveria ka planifikuar për vitin 2026 një fond prej afro 1 miliard lekësh — buxheti më i lartë i pesëviteve të fundit. Ky investim pason paralajmërimet e Bankës Botërore për rritjen e rrezikut të fatkeqësive natyrore në Shqipëri këtë vit.

Fondi do të përdoret për riparimin e argjinaturave, rehabilitimin e lumenjve, digave, hidrovorëve dhe kanaleve ujitëse. Projektet prioritare përfshijnë:

Kolektorin e Roskovecit
Mbrojtjen e lumit të Kalasë
Lumin Shushicë në Vranisht
Vjosën në Kashisht
Matin në Skuraj
Drinin në Bahçallëk
Bunën në Darragjat dhe Oblik të Shkodrës
Mbrojtjen nga gërryerja e lumit Osum në Starovë

Ndërhyrje në argjinatura parashikohen edhe në lumenjtë Seman, Shkumbin dhe në kolektorin e Butrintit.

Vetëm për hidrovorët, buxheti i vitit 2026 kap vlerën e 159 milionë lekëve, duke synuar rikonstruksionin e tre hidrovorëve në Durrës, një në Orikum dhe ndërhyrje të tjera në vend. Deri në vitin 2028, fondi për rikonstruksionet e hidrovorëve pritet të arrijë 700 milionë lekë.

Në total, shpenzimet e parashikuara për emergjencat civile deri në vitin 2028 arrijnë në 2.7 miliardë lekë.

FONDET E PËRMBYTJEVE
2025
Infrastruktura mbrojtëse: 451 mln lekë

Hidrovoret: 206 mln lekë
Buxheti i përmbytjeve sipas viteve

2024: 132 mln lekë
2025: 451 mln lekë
2026: 855 mln lekë
2027: 620 mln lekë
2028: 639 mln lekë

Rikonstruksioni i hidrovoreve (2026–2028): 700 mln lekë



Burimi Monitor.al