Një ngjarje pa precedent ka tronditur organizatën e “Miss Finlanda”, duke çuar në shkarkimin e menjëhershëm të fitueses së këtij viti, Sarah Dzafce. Bukuroshja 22-vjeçare, e cila ka rrënjë shqiptare nga ana e babait, është bërë e para “Miss” në historinë e kompeticionit që zhvishet zyrtarisht nga titulli, një masë drastike që nuk ishte marrë kurrë më parë në këtë formë.
Fotoja “fatale” që ndezi rrjetin
Gjithçka nisi më 1 dhjetor, kur tabloidi finlandez Ilta-Sanomat (IS) raportoi mbi një foto të Sarah-s që po qarkullonte me shpejtësi në rrjetet sociale (kryesisht Snapchat dhe Instagram). Në imazh, Dzafce shfaqet duke tërhequr sytë me gishta për t’i bërë ata të duken të pjerrët – një gjest që ndërkombëtarisht njihet si tallës ndaj tipareve aziatike.
Fotoja shoqërohej me mbishkrimin në finlandisht: “Kiinalaisenkaa syömäs” (Duke ngrënë me një kinez/ushqim kinez). Ky postim u cilësua menjëherë si racist dhe ofendues, duke shkaktuar një valë indinjate publike që organizata nuk mund ta injoronte.

Vendimi i vështirë dhe reagimi i Sarah
Të enjten pasdite, CEO e “Miss Finlanda”, Sunneva Sjögren, doli në një konferencë për shtyp duke njoftuar se pas një shqyrtimi të kujdesshëm, organizata kishte marrë vendimin e “arsyetuar dhe të vështirë” për t’i hequr kurorën.
Sarah Dzafce, e cila më herët kishte deklaruar me krenari në bio-n e saj se “rrënjët e mia janë në malet e Kosovës”, u shpreh e shokuar për vendimin. “Nuk e prisja të ndodhte. E mora vesh këtë mëngjes, por vendimin e morëm me pëlqim reciprok,” tha ajo për mediat vendase, duke e cilësuar foton si një “keqkuptim” dhe një shaka të pasuksesshme, por dëmi tashmë ishte i pariparueshëm.
Një rast historik: Pse ky rast ndryshon nga të tjerët?
Heqja e titullit të Sarah Dzafces shënon një kthesë historike. Ajo është e para që shkarkohet nga organizata.
-
Në vitin 2011, Miss Finlanda Pia Pakarinen hoqi dorë nga titulli, por ajo e bëri këtë me dëshirën e saj, duke dhënë dorëheqjen live në TV për shkak të pakënaqësive me pagesat dhe menaxhimin.
-
Në vitin 1995 dhe 1997, dy shoqëruese të para humbën titujt për skandale nudo ose të kaluarën e tyre, por asnjëherë më parë vetë fituesja kryesore nuk ishte pushuar nga titullinë këtë mënyrë.
Ky skandal ka hapur një debat të gjerë në Finlandë mbi racizmin dhe përgjegjësinë e personazheve publike, ndërsa ëndrra e vajzës me origjinë nga Kosova për të përfaqësuar Finlandën në “Miss Universe” u pre në mes. /Prive By Liberta Spahiu










