Emigrimi nuk sjell pasurinë e pritur: Studimi zbulon të ardhura më të ulëta për shqiptarët jashtë


Hulumtimi Kombëtar i Migracionit 2024, i realizuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) në bashkëpunim me Bankën Botërore, hedh dritë mbi profilet, motivet dhe realitetin ekonomik të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke nxjerrë në pah një hendek të theksuar mes pritshmërive dhe të ardhurave reale.

Sipas studimit, migracioni shqiptar dominohet nga të rinjtë, kryesisht meshkuj, dhe punëtorë me aftësi të mesme, të shtyrë kryesisht nga nevoja për mundësi më të mira ekonomike. Mbi 75% e migrantëve aktualë janë meshkuj, ndërsa grupmosha më e përfaqësuar është ajo 25–44 vjeç.

Hulumtimi evidenton se migracioni ndryshon ndjeshëm sipas nivelit arsimor dhe destinacionit. Rreth një e treta e shqiptarëve që emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara kanë përfunduar arsimin e lartë, ndërsa në Greqi kjo shifër zbret në vetëm 5%. Gjithashtu, prefekturat bregdetare dhe qendrore shënojnë nivele më të larta emigrimi, të ndikuara nga afërsia gjeografike me destinacione si Italia dhe Greqia.

Para largimit nga Shqipëria, migrantët janë të punësuar kryesisht në profesione me aftësi të ulëta dhe fitojnë mesatarisht rreth 10% më pak se personat që nuk emigrojnë. Tre muaj para largimit, rreth 75% e tyre janë në punë, por kjo përqindje bie ndjeshëm në vetëm 9% gjatë muajit të fundit para emigrimit.

Një nga gjetjet më domethënëse të studimit lidhet me diferencën mes pritshmërive dhe realitetit financiar. Migrantët prisnin të fitonin mesatarisht rreth 3,900 dollarë në muaj, por të ardhurat reale rezultojnë rreth 2,200 dollarë. Si pasojë, edhe kursimet janë shumë më të ulëta nga sa ishte parashikuar: mesatarisht 450 dollarë në muaj, krahasuar me pritshmëritë prej 1,270 dollarësh.

Ky hendek është veçanërisht i theksuar për migrantët në Greqi, ku diferenca arrin në 52% për të ardhurat dhe 69% për kursimet.

Studimi është realizuar mbi bazën e të dhënave nga 3,804 familje migrantësh dhe 1,198 familje jomigrantësh, duke kombinuar intervista ballë për ballë dhe sondazhe telefonike me shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Kjo metodologji ka mundësuar një pasqyrë të detajuar mbi ciklin e plotë të migracionit.

Hulumtimi synon të shërbejë si bazë për hartimin e politikave migratore të mbështetura në evidencë dhe është në përputhje me objektivat e Marrëveshjes Globale për Migracionin e Sigurt, të Rregullt dhe të Rregulluar.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, theksoi se migracioni mbetet një komponent thelbësor i jetës së familjeve shqiptare dhe se varësia nga remitancat vijon të jetë e lartë. Ndërkohë, zëvendësdrejtorja e Grupit për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, Evis Sulko, vuri në dukje se shumica e migrantëve nuk kanë përfituar mbështetje institucionale gjatë procesit të emigrimit.



Burimi Monitor.al