Në prag të festave të fundvitit, Dogana Shqiptare ka ndërmarrë masa të veçanta për të përballuar rritjen e fluksit në pikat kufitare, e shkaktuar nga kthimi i emigrantëve dhe intensifikimi i aktivitetit tregtar.
Autoritetet informojnë se strukturat doganore do të operojnë pa ndërprerje, 24 orë në ditë gjatë periudhës festive, me qëllim shmangien e pritjeve të gjata dhe sigurimin e një shërbimi efikas për qytetarët dhe bizneset.
Plani i masave përfshin rritjen e burimeve njerëzore dhe teknike, si dhe koordinim të përforcuar mes strukturave doganore në të gjithë vendin. Në fokus janë përshpejtimi i procedurave, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe menaxhimi më i mirë i flukseve të udhëtarëve, pa cenuar standardet e sigurisë dhe kontrollit.
Dogana Shqiptare vlerëson se këto masa do të kontribuojnë në një lëvizje më të rregullt kufitare gjatë festave dhe do të mbështesin aktivitetin ekonomik, veçanërisht sektorët e import-eksportit, në një periudhë të rëndësishme për konsumatorët dhe tregun vendas.










