Rritet turizmi dimëror në Shqipëri, mbi gjysmë milioni vizitorë në nëntor, Korça dhe Berati në krye


Turizmi dimëror në Shqipëri po njeh një rritje të ndjeshme, si rezultat i përpjekjeve të bizneseve për ta kthyer sektorin në një aktivitet gjithëvjetor dhe për të ofruar paketa më të favorshme për vizitorët. Vetëm gjatë muajit nëntor, mbi gjysmë milioni turistë kanë vizituar vendin, me një rritje prej rreth 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas operatorëve turistikë, interesi i turistëve të huaj gjatë sezonit dimëror është shtuar ndjeshëm, veçanërisht për destinacione si Korça dhe Berati, të cilat po preferohen për ofertën kulturore, gastronominë dhe klimën karakteristike.

Vizitorët kryesorë vijnë nga vendet e Evropës, Amerika dhe Lindja e Mesme, ndërsa arsyet e udhëtimit variojnë nga pushimet dhe biznesi, te tranziti dhe trajtimet shëndetësore.

Ndërkohë, operatorët vërejnë se shqiptarët po udhëtojnë gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Kërkesat për udhëtime jashtë Shqipërisë janë rritur me rreth 25% gjatë kësaj periudhe fundviti, kryesisht për të festuar ndërrimin e viteve.

Sipas të dhënave, vetëm gjatë muajit nëntor, daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë kanë arritur në 645 mijë e 434 persona, duke reflektuar një qarkullim të lartë turistik dhe interes të shtuar për vendin edhe gjatë sezonit të ftohtë.



Burimi Monitor.al