Administrata Tatimore njofton se, duke nisur nga data 15 janar, do të fillojnë kontrollet në terren për verifikimin e pagave të deklaruara në sektorin e ndërtimit. Ky veprim bëhet në kuadër të Planit Sektorial për rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve.
Kontrollet do të fokusohen kryesisht tek subjektet që janë vlerësuar me risk për nëndeklarim të pagave, të cilat nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimeve të mëparshme të dërguara në sistemin e tatimit elektronik e-Filing.
Tatimet do të krahasojnë pagat e deklaruara nga punëdhënësit me pagat indikative sipas profesioneve, të publikuara në faqen zyrtare të Administratës Tatimore dhe të dërguara në llogaritë elektronike të tatimpaguesve.
Çdo tatimpagues që deklaron paga më të ulëta se niveli indikativ ose ndryshon profesionin e punonjësve për të shmangur deklarimin real, rrezikon masat administrative dhe ligjore, duke përfshirë kontrollet nga strukturat e specializuara të administratës.
Administrata Tatimore u bën thirrje punëdhënësve të marrin masat e nevojshme për deklarimin e saktë të pagave, me qëllim shmangien e penaliteteve dhe sigurimin e kontributeve shoqërore dhe të pensioneve për punonjësit.










