Bashkia e Tiranës, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, ka nisur një fushatë informuese për t’u rikujtuar bizneseve dhe qytetarëve që disponojnë prona të përdorura për qëllime tregtare rëndësinë e vetëdeklarimit të saktë të të dhënave.
Ky proces konsiderohet një hap thelbësor për përllogaritjen e drejtë të detyrimeve vendore për vitin 2026 dhe për shmangien e pasaktësive në llogaritje.
Në kuadër të nismës, formulari i vetëdeklarimit u është dërguar taksapaguesve në profilin e tyre në portalin e-Albania, në rubrikën “Dokumentat e mia”. Plotësimi i tij shërben për përditësimin e të dhënave reale dhe garanton një vlerësim korrekt të detyrimeve.
Procesi është i thjeshtë dhe realizohet përmes disa hapave: hyrja në portalin e-Albania me kredencialet përkatëse si qytetar ose biznes, aksesimi i rubrikës “Dokumentat e mia”, plotësimi i formularit dhe dorëzimi i tij.
Formulari i plotësuar mund të dorëzohet pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, përmes shërbimit postar, ose online në adresën zyrtare të e-mailit: [email protected]
.
Drejtoria thekson se vetëdeklarimi i saktë, përpara nisjes së procesit të përllogaritjes, rrit transparencën dhe siguron një marrëdhënie më të drejtë me taksapaguesit. Në rast se formulari nuk shfaqet në profilin e përdoruesit në e-Albania, qytetarët dhe bizneset ftohen të përditësojnë të dhënat pranë Drejtorisë përkatëse.










