Tregu i qirasë financiare, ashtu si ai i kredisë, ka ndjekur rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në periudhën pas pandemisë. Një nga aktivitetet ku qiraja ka peshë të rëndësishme është financimi i blerjes së automjeteve për dhënien e tyre me qira, kryesisht për përdorim nga turistët.
Turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të po shënojnë një rritje të shpejtë dhe kjo rritje po i jep efektet e veta anësore edhe në sektorët financiarë të lidhur me të. Turizmi gjithashtu ka rritur kërkesën për taksi dhe flotat e reja janë të orientuara drejt automjeteve elektrike. Blerja e tyre përbën gjithashtu një segment të rëndësishëm të kërkesës për financime me qira financiare.
Efekti i tërthortë i turizmit shtrihet edhe në sektorët e distribucionit dhe tregtisë, që kanë zgjeruar flotat e tyre të automjeteve. Një segment tjetër në rritje është edhe ai i shërbimeve mjekësore, ku blerja ose rinovimi i pajisjeve po financohet në një masë të madhe me qira financiare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përveç bankave tregtare, në tregun e qirasë financiare ushtrojnë aktivitet 10 institucione financiare jobanka të licencuara për këtë produkt. Deri në fund të vitit 2024, portofoli i qirasë financiare të dhënë nga institucionet financiare jobanka kishte vlerën e 12.5 miliardë lekëve. Së bashku me portofolin e bankave tregtare, i gjithë tregu i produktit në fund të 2024 llogaritej në afërsisht 22.5 miliardë lekë./Monitor











