Papunësia në Gjermani ka arritur nivelin më të lartë të 12 viteve të fundit për muajin janar, duke u ngjitur në 6.6%. Sipas të dhënave zyrtare, rritja lidhet kryesisht me faktorë sezonalë, ndërsa perspektivat për tregun e punës mbeten të zymta në afat të shkurtër.
Agjencia Federale e Punësimit njoftoi se numri i të papunëve u rrit në 3.085 milionë persona, me një shtesë prej 177 mijë vetash krahasuar me dhjetorin e vitit 2025. Ky është niveli më i lartë që nga janari i vitit 2014 dhe hera e parë pas më shumë se një dekade që tejkalohet pragu i tre milionë të papunëve.
Drejtoresha e Agjencisë, Andrea Nahles, shpjegoi se rritja vjen si pasojë e përfundimit të shumë kontratave në fund të vitit, si dhe rënies së aktivitetit në sektorë të ndikuar nga kushtet atmosferike, si ndërtimi, turizmi dhe bujqësia. Gjatë muajit janar, 1.142 milionë persona përfituan ndihmë papunësie.
Sipas Nahles, është vërejtur gjithashtu një rritje e numrit të të rinjve që mbeten jashtë programeve të formimit profesional. Nga 64 mijë persona të regjistruar në zyrat e punësimit gjatë kësaj periudhe, rreth 23 mijë kishin oferta konkrete pune, por zgjodhën të mos i pranojnë menjëherë.
“Ka shumë pak dinamizëm në tregun e punës”, pranoi Nahles, duke theksuar se numri i vendeve të lira të punës ka rënë në 598 mijë, ose 34 mijë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Reagimi i Merz
Kancelari gjerman Friedrich Merz e cilësoi situatën si një “sinjal alarmi”, duke deklaruar se rritja e papunësisë mbi tre milionë persona tregon nevojën urgjente për ndërhyrje ekonomike.
“Rimëkëmbja ekonomike duhet të jetë prioriteti kryesor i këtij viti”, tha Merz, duke rikujtuar angazhimin e qeverisë për të nxitur ekonominë pas dy vitesh recesion të lehtë, përmes rritjes së shpenzimeve për infrastrukturën dhe mbrojtjen.
Megjithatë, analistët vërejnë se këto masa kërkojnë kohë për të dhënë efekt në ekonominë reale dhe në tregun e punës.










