Tatimet shtyjnë deri më 20 shkurt 2026 afatin për deklarimin e inventarit


Administrata Tatimore ka njoftuar se afati për deklarimin e inventarit analitik për vitin 2025 është shtyrë deri më 20 shkurt 2026. Vendimi është marrë për shkak të problemeve teknike të konstatuara në sistemin SelfCare, të cilat kanë sjellë vështirësi për tatimpaguesit gjatë procesit të deklarimit.

Sipas njoftimit zyrtar, shtyrja e afatit synon t’u japë tatimpaguesve kohën e nevojshme për të përmbushur në mënyrë të saktë dhe korrekte këtë detyrim ligjor, duke shmangur pasaktësi apo mosdeklarime të detyruara nga problematikat teknike.

Inventari analitik duhet të pasqyrojë të dhëna të detajuara mbi lëndën e parë, produktet e gatshme dhe mallrat për rishitje, përfshirë njësinë, sasinë, çmimin dhe vlerën përkatëse për secilin zë.

Deklarimi kryhet në mënyrë elektronike në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, duke u ngarkuar me emërtimin “Inventari 31.12.2025”, brenda afatit të ri të përcaktuar, më 20 shkurt.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që të shfrytëzojnë këtë afat shtesë dhe të përmbushin detyrimin ligjor brenda kohës së përcaktuar, me qëllim shmangien e kontrolleve në terren dhe aplikimit të penaliteteve përkatëse.



Burimi Monitor.al